Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një 38-vjeçar shqiptar ka humbur jetën teksa po punonte në një fermë bujqësore.
Ngjarja ka ndodhur në një provincë të Bolonjas, ku shqiptari u gjet i vdekur nga familjarët e tij, pasi shkuan ta kërkonin në vendin e punës, të shqetësuar sepse nuk po mundeshin të kontaktonin me të.
Ndërkohë, dinamika e aksidentit është ende për t’u sqaruar, por sipas hetuesve, shqiptari mund të jetë përplasur dhe shtypur për vdekje nga një traktor. Ndihma e shpejtë mbërriti në vendin e ngjarjes, por për fat të keq mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Në vendngjarje ndodheshin edhe inspektorët e sigurisë në punë dhe karabinierët, të cilët nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Gjithashtu mediat italiane shkruajnë se traktori është sekuestruar për hetime të mëtejshme.


