Një 37-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën këtë të hënë, teksa po transportohej nga Pogradeci drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Sipas të dhënave paraprake, gruaja ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore. Pas konsultave dhe ekzaminimeve, mjekët vendosën që ajo të dërgohej në Tiranë për një vlerësim dhe trajtim më të specializuar.
Por gjatë transportit, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm. Mësohet se 37-vjeçarja kishte shfaqur të vjella, ndërsa dyshohet paraprakisht për një hemorragji të brendshme.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Ende nuk dihen shkaqet e sakta që çuan në përkeqësimin e gjendjes së saj dhe më pas në vdekje. Autoritetet pritet të kryejnë veprimet procedurale, ndërsa autopsia mjeko-ligjore do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut të vdekjes.
