Një ngjarje e rëndë ka tronditur Peruxhian dhe komunitetin shqiptar në Itali. Hekuran Cumani, 23 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Fabriano (Ancona), u vra me thikë në orët e para të së shtunës në një parking pranë Universitetit të Peruxhias.

Sipas Prokurorisë, ngjarja është cilësuar si vrasje me dashje, e ndodhur pas një grindjeje për motive të parëndësishme. Viktima u godit në fyt dhe në gjoks me thikë, duke ndërruar jetë në vend, pavarësisht mbërritjes së shpejtë të shërbimeve mjekësore.

Hekurani kishte shkuar në Peruxhia për t’u argëtuar me shokët. Debati fatal nisi jashtë lokalit të njohur “110 Caffè”, pranë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike të Universitetit. Sherri verbal u përshkallëzua në përleshje fizike dhe një prej personave të përfshirë, ende i paidentifikuar, nxori thikën dhe e qëlloi për vdekje.

Miqtë e tij e përshkruajnë Hekuranin si një djalë të qetë, të dashur dhe të pasionuar pas palestrës e jetës së shëndetshme. “Ishte një mik i mirë, shumë familjar dhe e donte edhe më shumë kafshët,” – tha një prej tyre për mediat italiane.

Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe ka marrë në pyetje personat që ishin në vendin e ngjarjes, në përpjekje për të identifikuar autorin.

Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë edhe nga autoritetet lokale. Në një deklaratë të përbashkët, kryebashkiaku dhe këshilli komunal i Peruxhias shprehën ngushëllimet, duke e cilësuar vrasjen si një “tragjedi që ka tronditur gjithë qytetin”.

Hetimet vijojnë, ndërsa familja dhe komuniteti kërkojnë drejtësi për të riun që humbi jetën në mënyrë absurde.