Një aksident i rëndë gjatë një ndeshjeje futbolli në ishullin Thassos ka përfunduar tragjikisht për një 16-vjeçar me origjinë shqiptare. Asllan Gjana, futbollist i skuadrës Byronas Kavala, ka humbur jetën në spital si pasojë e dëmtimeve të marra në kokë.

Ngjarja ndodhi gjatë përballjes mes Byronas Kavala dhe Aiandas Panagias, e vlefshme për kategorinë e dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës. Takimi sapo kishte nisur kur, në minutën e dytë, Gjana u përfshi në një duel për topin.

Gjatë aksionit, i riu përfundoi jashtë vijave të fushës dhe u përplas me gardhin që rrethonte stadiumin, duke goditur fort pjesën e pasme të kokës. Ai humbi ndjenjat pas goditjes, ndërsa loja u ndal menjëherë.

Mjeku i ndeshjes i dha ndihmën e parë 16-vjeçarit dhe në stadium mbërritën shërbimet e urgjencës. Për shkak të gjendjes së tij kritike, u vendos që futbollisti të transportohej drejt Spitalit të Kavalës.

Gjana u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, ku mjekët luftuan për t’i shpëtuar jetën. Megjithatë, dëmtimet rezultuan fatale dhe adoleshenti ndërroi jetë.

Humbja e 16-vjeçarit ka shkaktuar tronditje në klubin e tij dhe në komunitetin sportiv të Kavalës. Byronas Kavala publikoi një mesazh lamtumire, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si një humbje të rëndë për të gjithë familjen e klubit.

“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj”, thuhet në reagim.

“Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, përfundon mesazhi i klubit.