Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në një minierë në Bulqizë, ku administratori i këtij subjekti ka ndërruar jetë.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Theknës në Martanesh, teksa viktima është identifikuar si 62-vjeçari Sulejman Kurti. Ai shkoi për të kontrolluar punën në minierë teksa në rrethana ende të paqarta është aksidentuar dhe si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Në vijim, policia ka shoqëruar në polici disa persona të stafit drejtues dhe teknik me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë / Informacion paraprak- Më datë 04.11.2025, rreth orës 10:15, në një subjekt minerar në zonën e Theknës, Martanesh, dyshohet se gjatë kontrollit në frontin e punës është aksidentuar shtetasi S. K., rreth 62 vjeç, me detyrë administrator në këtë subjekt, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Në vijim të veprimeve, Policia ka shoqëruar disa persona të stafit drejtues dhe teknik të subjektit minerar, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të shkaqeve të ngjarjes.




