Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Korçë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tij.
Viktima është identifikuar si Urim Hysolli. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë rënë në një apartament të pallatit, ndërsa tymi është përhapur me shpejtësi edhe në ambientet e tjera të godinës, duke bërë të nevojshëm evakuimin e banorëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës.
Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia, por shkaku i saktë mbetet ende i paqartë. Pas përfundimit të operacionit për fikjen e zjarrit, grupi hetimor do të kryejë veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
