Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Pezë, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij 16-vjeçar ka mbetur i plagosur. Dy të miturit po udhëtonin me një automjet, kur 15-vjeçari, i cili ishte në drejtim të mjetit, ka humbur kontrollin dhe makina ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.

Përplasja ka rezultuar fatale për 15-vjeçarin, ndërsa 16-vjeçari është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat paraprake mësohet se automjeti ishte marrë fshehurazi nga 15-vjeçari, pa dijeninë e të atit.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.