Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së martës në kryeqytet, ku një grua 40-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni i banesës së saj.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në rrugën “Feti Gjilani”. Viktima, e identifikuar me inicialet A. S., ka rënë nga ballkoni dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Në deklaratën e saj zyrtare, policia bëri me dije se rënia ka qenë aksidentale, por hetimet janë ende në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.
“Me datë 03.09.2025, rreth orës 23:30, në rrugën ‘Feti Gjilani’, aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i banesës së saj shtetasja A. S., 40 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Trupi i të ndjerës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërkohë që grupi hetimor po punon për të përcaktuar me saktësi shkakun e rënies fatale.