Një ngjarje e rëndë ka shokuar një fshat të vogël në Itali, ku një grua 49-vjeçare me origjinë shqiptaro-maqedonase, Sadjide Muslija, është gjetur e pajetë në banesën e saj.
Trupi i saj, sipas mediave italiane, ishte i mbushur me shenja dhune, ndërsa autoritetet janë në kërkim të bashkëshortit të saj, Nazif Muslija, 50 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fatale mbi të.
Një person i afërt, punëdhënësi i viktimës, ka qenë i pari që ka njoftuar policinë pasi Sadjide nuk ishte paraqitur në punë. Kur autoritetet kanë mbërritur në shtëpinë e saj, kanë gjetur trupin e saj të shtrirë në shtrat me plagë të dukshme dhe shenja të dhunës, veçanërisht në kokë.

Pavarësisht se çifti ndodhej në proces divorci, burri i viktimës ishte rikthyer për të jetuar me të, ndërkohë që mediat italiane raportojnë se ai kishte një histori të dhunës në familje. Sipas burimeve, Sadjide kishte denoncuar disa herë bashkëshortin për dhunë, por duket se ai ka vazhduar të ushtrojë kontroll mbi të.
Policia ka shpallur në kërkim Nazif Muslijën dhe po heton për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërkohë që kjo tragjedi ka ngritur shqetësime për dhunën në familje dhe mungesën e mbrojtjes për viktimat e këtij fenomeni.
