Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën gjatë natës në Itali, pasi u qëllua me armë zjarri në Baldissero d’Alba. Mediat italiane bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Gjovalin Lazri.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Lazri dyshohet se ndodhej mes të paktën pesë personave që kishin hyrë në një kantier ndërtimi, me qëllim grabitjen e materialeve, pajisjeve dhe mjeteve të punës.

Prona i përkiste 35-vjeçarit Roberto Mollo, i cili ndodhej i vetëm në kantier. Autoritetet dyshojnë se ai ka dëgjuar zhurma gjatë natës dhe, pasi ka marrë armën, ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë.

Anëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Lazri mbeti i plagosur rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, 36-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Lazri jetonte prej vitesh në Torino, së bashku me partneren dhe fëmijën e tyre. Ai administronte një lokal në Corso Taranto dhe, sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, po përpiqej të ndërtonte një jetë të rregullt.

Viktima kishte pasur më herët probleme me drejtësinë për vepra kundër pasurisë, por avokatja ka deklaruar se së fundmi ai punonte rregullisht dhe ishte i përqendruar te familja.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet po verifikojnë rrethanat në të cilat ndodhën të shtënat dhe rolin e personave të përfshirë.