Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e sotme në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku një grua 42-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë, pasi banesa e saj u përfshi nga flakët.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Durrësit, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 dhe paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Viktima është identifikuar si shtetasja K. M., e cila dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia që shkaktoi tymi i zjarrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë dhe shërbimi zjarrfikës kanë mbërritur në vendngjarje, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.