Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 15-vjeçari ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën “Dhimokratias”, në periferi të Athinës.

Sipas informacioneve paraprake, një nga adoleshentët kishte marrë pa dijeninë e prindërve çelësat e makinës së nënës dhe kishte dalë për xhiro së bashku me dy shokë, mes tyre një i mitur shqiptar. Dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara kur drejtuesi humbi kontrollin, duke dalë nga rruga dhe u përplasur me një pemë.

Si pasojë e përplasjes, një prej pasagjerëve humbi jetën në vendngjarje. Dy të rinjtë e tjerë u transportuan në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit, ndërsa drejtuesi i mjetit është ndaluar për veprime të mëtejshme procedurale.