Banorët që do t’u prishen shtëpitë për ndërtimin e rrugës Transballkanike në Vlorë kanë protestuar sot në Tiranë para Parlamentit, ku ka qenë dhe dita e seancës plenare.
Pas protestave në qytetin e tyre, ku kundërshtojnë shembjen e banesave nëse qeveria nuk i shpronëson me vlerën e çmimit aktual të tregut, ata kanë zbarkuar sot në kryeqytet.
Në protestë ka pasur banorë që i kanë shtëpitë pa dokumente dhe janë në proces legalizimi, për të cilët qeveria ka vendosur t’u sigurojë qira për dy vjet.
Ata janë takuar me deputetin e LSI-së të qarkut Vlorë, Shkëlqim Selami, i cili u ka premtuar se pas një takimi me kryeministrin Rama do t’u japë një përgjigje.
Sipas INUK-ut, shembja e rreth 100 shtëpive në zonën ku do të ndërtohet rruga Transballkanike është shtyrë për disa ditë deri në një vendim të dytë.
5 shkurt 2015 (gazeta-Shqip.com)