Miniera e Bakrit në Spaç, ka një histori të gjatë shfrytëzimi, por historia e dorëzimit të kësaj pasurie kombëtare tek kompanitë e huaja nis në vitin 2007. Përmes lejes me numër 1068, datë 20 Gusht 2007, shoqëria “Tete Albania Tunnel & Mining”, fitoi të drejtën për shfrytëzimin e galerive të bakrit. Po ashtu, subjekti “Tete Albania Tunel & Mining” ka kontratë me Bashkinë Mirditë, nënshkruar në 07.11.2016, ku ka marrë në përdorim sipërfaqen e madhe prej afro 497 mijë metra katrorë në ekonominë pyjore Spaç, për periudhë kohore 10 vjeçare…
Kompania turke, zotërohet nga dy subjekte të tjera po ashtu turke. Konkretisht: “Tete Madençilik VE Muhendislik Sanaji VE Tikaret” me 49 % të kuotave dhe “Ilbak Madençilik Sanaji VE Tikaret Anonim Sirketi” me 51 % të kuotave.
Në 25 korrik 2011, me urdhrin nr. 546 të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, turqve iu revokua Leja e Shfrytëzimit. Por, urdhri i ministrit u rrëzua përmes dy vendimeve të gjykatave që i rikthyen lejen.
Por, në 9 Prill të vitit 2015, kompanisë i revokohet sërish Leja pas një inspektimi të kryer ku u gjetën mospërmbushje të detyrimeve.
Nëse analizon ekstraktin historik të kompanisë, vihen re disa masa bllokimi për shkak të mos-shlyerjes së detyrimeve
Ajo që bie në sy është fakti se kompania deklarohet qindra milionë lekë humbje ndër vite sipas të dhënave të pasqyruara.
‘Nëse rezultojnë për një periudhë të gjatë kohore me humbje dhe kjo humbje nuk ka lidhje me avancimin e kapitalit që teorikisht duhet të kishin kryer dhe kjo duhet provuar në mënyrë dokumentare shkresore atëherë drejtoria e tatimeve ka detyrimin që ti shohë si zona risku përsa i takon vjeljes së detyrimeve tatimore, përmbushjes së detyrimeve tatimore duke përfshirë edhe privilegjet fiskale që gëzojnë, kjo drejtori të kryejë një hetim financiar të thelluar’ u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preci
‘Armiku numër një është korrupsioni. Ligjzbatimi në 99% të rasteve nuk vjen nga padija, nga mos dija e ligjit, mosnjohja, moskompetenca, mosprofesionalizmi, 99% të rasteve vjen nga korrupsioni’ u shpreh eksperti i ekonomise, Pano Soko
Pavarësisht humbjeve kompania që shfrytëzon minierën e bakrit vijon pandërprerje aktivitetinnë Spaç. Në një raport të ecurisë së veprimtarisë të vitit 2022 të publikuar nga vetë kompania shifrat tregojnë të njëjtën situatë, humbje të mëdha, amortizim të makinerive dhe të paktën 3 kredi të marra për përmirësim të aktivitetit. Në fakt, paratë miliona dollarë nuk janë shfrytëzuar për këtë drejtim.
‘Gjyqtari një hajduti bankash i bën një pyetje rutinë, i thotë i pandehur përse vidhni bankat dhe përgjigjja ishte, se aty janë paratë. Edhe në rastin konkret një kompani nuk i deklaron fitimet e vete kur do t’i maksimizojë ato’ u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preci
Rezulton se kredia e marrë për nisjen e punës në Spaç në vitin 2020 shoqëria ia ka alokuar shoqërisë mëmë. Huaja u sigurua nga Banka Kombëtare Tregtare. Pra, kompania e zhytur në borxhe, që nuk përfiton asgjë, por deklaron humbje nga aktiviteti në minierë, i jep hua 10 milionë USD kompanisë mëmë me qendër në Turqi. Këtu, rriten dyshimet se paratë e transferuara mund të jenë fitime të padeklaruara. Po ashtu, kjo dëshmon se kredia e marrë duke lënë peng lejen minerare nuk u investua në minierën e Spaçit.
‘Në vitin 2016 Shoqëria ka lidhur (me BKT Sha) një kontratë huaje në vlerë 10 milionë USD , shumë e cila sipas kompanisë do të shfrytëzohej vetëm për investime në aktive afatgjata material me një kohëzgjatje prej 7 vitesh. Më 15 dhjetor 2016 Shoqëria ka marrë 500.000 USD. Gjatë vitit 2017, Shoqërisë iu disbursuan disa linja kreditore në vlerë prej 8.7 milionë. Kompania gjithashtu ka rritur, mbi një përpjekje më të mirë, kredinë me Traxys me shumën 6 milionë USD’
Pyetja që ngrihet natyrshëm është: Si mundet t’i jepen miliona dollarë hua një biznesi që deklaron humbje…? Për të arritur qëllimin, kompania ka lënë peng lejen e fituar nga shteti shqiptar për shfrytëzimin e minierës. Në rast të mos shlyerjes së detyrimeve, leja minerare do të zotërohet nga banka.
‘Garancitë për investime lidhen me garancinë e bërë për marrjen e licencës për minierat e reja dhe do të lirohen nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë në fund të marrëveshjes konçesionare’
‘Rezultati financiar me humbje për vitet ë tëra me radhë rrëzon logjikën, të vë para pyetjes, ore për çfarë e mban minierën hapur ky kur del me humbje? Cila minierë në botë punon sukr kur dele me humbje, cila? Si e justifikon daljen me humbje?’ u shpreh Erion Brace, deputet i PS