Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka ndarë mëngjesin e kësaj të premte një video nga kantieri i ndërtimit të Muzeut të Lundrimit në Shkodër, një projekt ambicioz që synon të kthejë hyrjen e qytetit në një hapësirë moderne dhe funksionale.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë tha se ky muze, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do të transformojnë këtë zonë të rëndësishme të qytetit verior, duke i dhënë Shkodrës pamjen dhe zhvillimin që meriton.
“MIRËMËNGJES 😊 dhe nga kantieri i Muzeut të Lundrimit në Shkodër, një investim që, së bashku me portin dhe parkun e rekreacionit, do ta shndërrojë hyrjen e qytetit në një zonë moderne e të zhvilluar, siç i ka hije Shkodrës, ju uroj një ditë të mbarë,” – shkroi kryeministri Rama.