Gjyqi me dëshmitarë anonimë në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, kanë ngritur dyshimet mbi ngritjen e një procesi që bazohet jo vetëm në interesat e Beogradit, por edhe në interesa të ngushta politike në Kosovë.

Kjo është vënë re të paktën edhe në disa dëshmi qesharake nga kundërshtarë politikë në Kosovë.

“Nëse një dëshmitarë është kundërshtar politik po e zëmë po e marr shembull është kundërshtar politik i zotit Thaçi, Veseli dhe të tjerëve ai duhet të dalë publikisht”, u shpreh Skënder Musa, avokat i akredituar në Hage.

“Nëse lufta për çlirimin e Kosovës ka qenë krejt e drejtë, madje shumë e pastër që do të thotë lufta me Serbinë dhe kundër serbëve, lufta e brendshme politike ka qenë e pisët”, u shpreh politologu, Enver Bytyci.

“Gjykata nuk është e obliguar që askujt t’ia ruajë identitetin pa qenë i rrezikuar. Ai që dëshmon, secili qytetar është i obliguar të dëshmojë për drejtësinë, do të dalë ballëhapur nëse mendon se ata kanë kryer krime nuk ka nevojë që të fshehën”, u shpreh Skënder Musa, avokat i akredituar në Hage.

Tani, le të ndalemi konkretisht në gjetjet ndaj procesit. Nëse marrim në shqyrtim seancën e datës 27 mars 2025 do të shohim se pjesa më e madhe e saj është zhvilluar e mbyllur. Transkriptet janë të redaktuara dhe çdo gjë mbetet e paqartë për publikun Në fakt kjo ndodh në pjesën dërrmuese të procesit.

Në këtë seancë ndodh një tjetër shkelje e rëndë që është konstatuar nga vetë Hashim Thaçi.

Thaçi: Edhe kjo praktikë mu më shqetëson kur sot e shoh këtë zotëri dje paraqitej si roje burgu dhe sot Prokuror, një praktikë e tillë as ndaj disidentit rus Navalny nuk është praktiku ku mbas ditësh iu kanë ndalu, kanë reagu të gjithë.

Situata është edhe më e rëndë pasi Thaçi në sallën e gjyqit foli për kërcënime fizike që kanë ndodhur ndaj të akuzuarve. Nënvizoi se trajtimi ndaj ish liderve të UÇK-së në Hagë ka qenë i tillë prej kohësh, që në momentin që janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim.

Thaçi: Në raste të caktuara, i nderuari Kryetar i Gjykatës, të nderuar Panel Gjykatës, ka kryer fyerje dhe kërcënime dhe fizike ndaj ne të akuzuarve. Na ka fyer dhe ka kryer dhe kërcënime fizike Prokurori që është sot përballë nesh. Nga praktikat e zotëriut, Edhe kjo praktikë mu më shqetëson kur sot e shoh këtë zotëri dje paraqitej si roje burgu dhe sot Prokuror.

Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në një proces tjetër gjyqësor ndaj ish kreut të veteranëve të luftës Hysni Gucati.
Gjatë një interviste për “Inside Story”, nga zyra ku është arrestuar vite më parë, ai tregon se ka shkuar i shoqëruar me një ekip të posaçëm nga prokuroria tre ditë pasi humbi të atin, dhe atë e ka shoqëruar një prokuror i cili ka pretenduar se ishte roje sigurie.

“E kanë pru një prokuror me punu si gardian që nuk ndodh kurrë, kjo ndodh vetëm në shtetet moniste, një prokuror ka punuar si gardian dhe pas 8 apo 9 muajsh gardiani u bë prokuror do të thotë ka sjellë njerëz të infiltruar brenda gjoja me na përcjellë ne çka po flasim çka po bëjmë çka po thojmë mes veti, kjo gjykatë i ka shkelur të gjitha të drejtat”, u shpreh Hysni Gucati, Organizata e Veteranëve të Luftës, UÇK.

Pra, këto janë ngjarje që tregojnë se si janë trajtuar në gjykatën speciale të Kosovës në Hagë, ish liderët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Në të dyja rastet qëllimi ka qenë i njëjtë, të futen në kurth dhe të fabrikohen prova të rreme.

“Faktet që i ka mbledhur deri më tani prokuroria i ka kualifikuar si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit deri më tani aq sa ne i kemi parë ne jemi të bindur se prokuroria nuk e ka arritur atë standardin përtej gjykimit të arsyeshëm sepse ky standard duhet të plotësohet në mënyrë që një person të shpallet fajtor”, Artan Qerimi avokat i akredituar nga Gjykata Speciale.

Në procesin gjyqësor, një tjetër ngjarje e rëndë dhe anti-kombëtare është regjistruar ndaj Jakup Krasniqit. Ai ka zgjedhur një kravatë me shqiponjën dy krenare të vendosur në të kuqen e flamurit shqiptar. Atij i është kërkuar që për të marrë pjesë në seancë të heqë kravatën.

Kjo, konsiderohet një fyerje e simboleve kombëtare dhe diskriminim i hapur nga gjykata ndaj të akuzuarit. Një sjellje që nuk ndryshon nga ajo e huliganëve serb ndaj flamurit shqiptar.

Në 5 vite proces, vihet re shkelja permanente e të drejtave të njeriut ndaj 4-shes së akuzuar. Në rastet kur kanë pasur fatkeqësi në familje, ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në ceremonitë mortore. Nuk janë lejuar të hedhin një grusht dhe’ për njerëzit e gjakut. Një shkelje e hapur e dinjitetit njerëzor.

“Kadrisë i ka vdekur baba dhe nana, Kadri Veselit, pas një viti që ka ardhur në qendër të paraburgimit, nuk e kanë lejuar Kadri Veselin që të vijë në vizitë, më ka vdekur baba mua, pas dy vitesh që isha në qendër të paraburgimit as unë skam mujt të vij. Presidentit Thaçi i pat vdek baba kohët e fundit as atë nuk e kanë lejuar me ardhë, Shals i ka vdekur vëllau, baba, njëjte se kanë lejuar me ardhë. Të gjithëve na kanë vdekur të afërm dhe nuk na kanë lejuar me ardhë”, u shpreh Hysni Gucati, Organizata e Veteranëve të Luftës, UÇK.

Kjo është një shkelje e konsumuar nga një gjykatë e ngritur nga Kosova sovrane, një abuzim që as Gjykata Ndërkombëtare e dikurshme nuk ka guxuar ta konsumojë…

“Ka qenë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës të Jugosllavisë por kur i kanë vdekur prindërit se ne kemi pas Ramushin kur i ka vdekur vëllai, gjenerasli ka ardhur dhe e ka varopsur vëllanë. Balaj kur i ka vdekur vajza ka ardhur dhe e ka varrosur vajzën ka nejt 7 ditë, ne veç ka 7 orë na kanë lënë dhe tre ditë pasi e kam varrosur babën kam ardhur në familje“, u shpreh Hysni Gucati, Organizata e Veteranëve të Luftës, UÇK.