Moskryerja e transplanteve të veshkës në Shërbimin e Urologjisë dhe Nefrologjisë në QSUT fsheh prapaskena dhe hedh hije dyshimi se gjithçka bëhet për të favorizuar spitalet private.

Mesatarisht 14 pacientë e kanë kryer çdo vit këtë procedurë për shkak se veshka e tyre është jashtë funksionit në Spitalin Hygeia dhe Spitalin Amerikan, të financuara nga buxheti i shtetit.

Ndërkohë që në QSUT salla e ndërhyrjeve për transplantin, e mirëpajisur me aparatura të teknologjisë moderne, pasi është realizuar falë një investimi prej 3 milion euro të projektit Italian “Intereg“, qëndron e mbyllur që pas transplanteve të para që u realizuan në vitin 2009.

Por çfarë ndodhi më pas? Pse u ndërpre kryerja e kësaj procedure për transplantin e veshkave në shërbimin publik? Dhe kjo jo për pak, por për disa vite.

Fakt është se transplantet kryhen, por me një ndryshim: në sallat e operacionit në dy spitalet private në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, ku shteti shqiptar paguan afro 20 mijë euro për një transplant.

Po a është kjo rastësi që sallës së transplanteve në QSUT i vihet kyçi?

Në një përgjigje zyrtare, drejtoria e QSUT pranon se transplantet e veshkave janë pjesë e paketave shëndetësore të cilat i financon Fondi i Sigurimeve në spitalet jo publike, por mohon investimin e bërë prej 3 milion euro nga projekti Intereg.

Ndërkohë që faktet janë kokëforta, pasi janë tre pacientë që e kanë kryer transplantin në shërbimin publik në vitin 2009, ku ka asistuar edhe shefja aktuale e shërbimit të Nefrologjisë, Arjana Strakosha. Sinkron Anila Godo janë dëshmitare të padiskutueshme, tre pacientë që e kanë kryer transplantin.

Top Channel kontaktoi mjekë të njohur që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në QSUT, të cilët thonë se fijet lidhen diku tjetër.

Burime të besuara i thanë Top Channel se kjo skemë është e qëllimshme në mënyrë që fondet e buxhetit të shtetit të planifikuara për transplantet të shkojnë në arken e Allajbeut.

Burime të besuara thonë se ish-nëndrejtorja e QSUT, Arjana Strakosha, njëkohësisht shefe e shërbimit të Nefrologjisë, një nga dy shërbimet përgjegjëse për kryerjen e transplanteve, ka lidhje të ngushta me bizneset e Allajbeut. Familjarë të saj kanë poste kyçe në bizneset e Allajbeut.

Djali i shefes së Nefrologjisë, Arber Teqja, është i përfshirë në manovrat shitje-blerje të Allajbeut për të përfituar sa më shumë tendera në Shëndetësi. Manovra më e fundit është ajo me Eco Riciklim Shpk, e cila merret me trajtimin e mbetjeve spitalore.

Në këtë biznes, djali i ish-shefes së shërbimit të Nefrologjisë zotëronte 70% të aksioneve, por në shkurt të vitit 2025, Teqja ia shet aksionet e tij firmës “ANA Mark” me një vlerë prej 60 mijë euro, ku Klodian Allajbeu rezulton të jetë pronar me 100% të aksioneve.

Por si mundet që një kompani që xhiron dhe fiton tendera me vlerë miliona euro në shëndetësi t’i shesë aksionet e saj me një vlerë kaq të ulët?

Kjo vërteton edhe njëherë manovrat e Allajbeut në shitje-blerjesh aksionesh në kompani e biznese për të përfituar dhe bërë gati monopol çdo tender në Shëndetësi. Për koinçidencë, në po atë vit kjo kompani e Allajbeut fiton një tender për menaxhimin e mbetjeve spitalore në Qendrën Spitalore Universitare në vlerën e afro 37 milion lekëve.