Avioni sanitar i specializuar, me pajisje ekstra dhe staf special
Avioni me të cilën u transportuan dje pasdite dy pacientet e aksidentuara rëndë ditën e hënë në Himarë, ishte special, me pajisje ekstra dhe staf të specializuar. Sipas negociatorëve që bënë të mundur sigurimin e avionit, mjeti konsiderohej sanitar special për disa arsye: Sepse brenda kishte dy shtretër të terapisë intensive, pajisje shtesë dhe të posaçme për gjendjen e vështirë të pacienteve si dhe një ekip të veçantë mjekësh që bën shoqërimin e vajzave të aksidentuara nga Shqipëria në Austri.
Të gjitha këto specialitete, pajisje, transport, karburant për këtë çarter sanitar special kanë kushtuar rreth 15 mijë euro.
Sipas negociatorëve, gjatë këtyre tri ditëve, ndërsa mjekët e Spitalit Ushtarak dhe titullarët e ministrisë diskutonin rreth rreziqeve që mund të sillte transporti, ata po shqyrtonin mundësitë më të mira për marrjen e një mjeti special.
Tri ditë më parë kanë nisur kërkimet dhe shqyrtimet e ofertave për marrjen me qira të një avioni të tillë. Pas sigurimit të avionit sanitar është negociuar me ekipin mjekësor që do të bënte transportin. Pas marrjes së aprovimit të të gjithë aktorëve avioni ka qëndruar në dispozicion për të bërë transportin e pacienteve.
Çarter të tillë sanitarë janë tepër të kushtueshëm, ndërkohë që mjetit që zbriti dje në Aeroportin e Rinasit i janë vendosur edhe elemente shtesë. Pacientet janë transportuar me helikopterët e emergjencës nga Himara në Tiranë, ditën e hënë, më pas transporti i tyre i dytë është kryer rreth orës 16:00.
Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë qenë të mendimit fillimisht se pacientet do të ishte mirë që të mos transportoheshin pasi kjo do të sillte pasoja fatale për të aksidentuarat. Më pas, diskutimet mes ambasadës austriake dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë zhvilluar për të mundësuar një trajtim special për pacientet, duke nisur nga transporti e deri në dërgimin e tyre në spitalet e specializuara në Austri. Pas marrjes së aprovimit nga ana e austriakëve, mjekët kanë dhënë detaje të tjera të nevojshme për transportin e pacienteve që prej ditësh mbaheshin nën vëzhgimin e mjekëve në reanimacionin e qendrës spitalore.
“Tyrol Air Ambulance” është një avion që ofron ndihmë të specializuar. Në faqen zyrtare të kompanisë, sqarohet se disa nga pajisjet që mban ky mjet janë aparaturë për ventilim, pajisje për monitorim, teste laboratorike si dhe aparatura speciale për të mbajtur në kontroll gjendjen e pacientëve që transportohen nga një vend në tjetrin. Koston prej 15 mijë eurosh për marrjen me qira të një avioni të tillë e kanë paguar austriakët, të cilët nuk janë kursyer për ndihmë, menjëherë pasi janë kontaktuar nga autoritetet shëndetësore shqiptare dhe titullarët e institucioneve.