Dy automjete tip Audi Q7 nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, përplasën patrullat në një postbllok dhe u larguan me shpejtësi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në aksin Kapshticë–Lozhan–Gramsh, ku policia dyshon se mjetet po përdoreshin për transport të emigrantëve të paligjshëm.

Operacioni nisi në afërsi të Kapshticës, në Devoll, ku shërbimet e policisë konstatuan dy automjetet Audi Q7 dhe nisën ndjekjen e tyre. Gjatë lëvizjes, drejtuesit dyshohet se braktisën rreth 15 emigrantë në afërsi të Lozhanit, përpara se të vijonin në drejtim të Gramshit.

Në një postbllok të ngritur në Gramsh, dy automjetet nuk iu bindën urdhrit për ndalim dhe u përplasën me patrullat e policisë, duke rrezikuar edhe punonjësit e shërbimit. Pavarësisht përplasjes, drejtuesit vijuan largimin me shpejtësi.

Më pas, të dy automjetet u gjetën të braktisura në dy fshatra të Gramshit. Ndërkohë, 15 emigrantët u lokalizuan të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan.

Në kuadër të operacionit, dy automjetet u sekuestruan, ndërsa policia ka identifikuar edhe dy drejtuesit e tyre, të cilët janë shpallur në kërkim. Për një person të tretë është bërë procedimi penal në gjendje të lirë.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, strukturat hetimore të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gramsh dhe Komisariatin nr. 5 të Tiranës.