Një 29-vjeçar nga Kruja është arrestuar në Kamëz, pasi dyshohet se transportonte një pistoletë me automjet, me qëllim trafikimin e saj. Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “LAST DRIVE II”.

Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet E. C., i dënuar më parë për trafikimin e mjeteve motorike.

Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte i riu, uniformat blu gjetën një pistoletë, e cila u sekuestrua së bashku me makinën dhe një telefon celular.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e 29-vjeçarit, ku u zbulua një armë gjahu e mbajtur pa leje, së bashku me 50 fishekë.

Ndërkohë, policia sekuestroi edhe një bllok shënimesh, në të cilin dyshohet se ishin regjistruar të dhëna për shuma të ndryshme parash. Për këtë arsye, ndaj tij ka nisur edhe hetimi pasuror.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Hetimet për rastin vijojnë.