Një incident i rëndë ka ndodhur në burgun e Malandrinos në Greqi gjatë një kontrolli në qelinë e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Klodian Lekocaj.
Sipas mediave greke, efektivët kanë mbetur të surprizuar kur kanë tentuar të hyjnë në qelinë e 49-vjeçarit. Lekocaj kishte bllokuar derën nga brenda duke vendosur një dry të madh, si dhe një pengesë pas derës, në mënyrë që policët të mos mund të hynin.
Ky veprim bie ndesh me rregulloren e burgjeve, e cila parashikon që qelitë e të burgosurve të mbyllen vetëm nga jashtë, në mënyrë që kontrolli të jetë në duart e personelit të burgut. Për të hyrë brenda, policia u detyrua të thyejë derën e qelisë.
Në momentin që arritën të futeshin, ata konstatuan se i dënuari kishte shkatërruar një telefon celular dhe i kishte vënë zjarrin pajisjes. Celulari u sekuestrua dhe pritet të dërgohet në laboratorët kriminalistikë, me shpresën se të dhënat nuk janë dëmtuar plotësisht. Hetuesit synojnë të zbulojnë përmes tij kontaktet dhe komunikimet e 49-vjeçarit.
Klodian Lekocaj është dënuar si porositës i vrasjes së avokatit Mihalis Zafirópulos, ndërsa dyshohet se është i përfshirë edhe në të paktën tre vrasje të tjera.



