Ushtria e Egjiptit bëri thirrje për zgjidhjen e krizës aktuale të vendit përmes bisedimeve dhe paralajmëroi se do të ndërhyjë për të ndaluar Egjiptin të ecë drejt “një tuneli të errët”, raporton BBC. Kjo është deklarata e parë e ushtrisë që nga shpërthimi i protestave. Ushtria betohet se do të mbrojë institucionet publike dhe njerëzit e pafajshëm. Deklarata e saj erdhi pasi protestat vijuan para pallatit presidencial në Kajro.
Opozita ka hedhur poshtë thirrjet e Presidentit Morsi për bisedime duke kërkuar paraprakisht që ai të heqë dorë nga pushtetet diktatoriale që i ka dhënë vetes dhe të ndalojë referendumin mbi Kushtetutën e re.
Kritikët thonë se drafti i Kushtetutës është hartuar me nxitim nga Asambleja Kushtetuese e dominuar nga islamikët që mbështesin Presidentin Morsi dhe se ky draft nuk bën mjaftueshëm për të garantuar liritë politike dhe fetare apo për të mbrojtur të drejtat e grave. Morsi është braktisur edhe nga disa aleatë përgjatë krizës që filloi pas një dekreti ku ai e vendos veten e tij mbi gjykatat. Por një analist gjerman njohës i Egjiptit argumenton se veprimet e Morsit ishin një hap i duhur drejt dhënies fund të tranzicionit, por mënyra se si ai veproi tregon se i mungon përvoja e nevojshme politike.
Deklarata e ushtrisë së Egjiptit riktheu frikën se ajo mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë për të marrë pushtetin, siç veproi pas rrëzimit të Hosni Mubarak vitin e kaluar. Por ushtria dhe Vëllazëria Myslimane, partia në pushtet, thanë me shpejtësi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Ushtria e Egjiptit fitoi simpatinë e njerëzve vitin e kaluar kur refuzoi t’i bindej Mubarakut për të shtypur turmat e protestuesve, por vetë Mubarak ka qenë një ushtarak dhe shumë në Egjipt besojnë se protestat gjatë “Pranverës Arabe” kanë qenë jo vetëm kundër Mubarakut, por edhe kundër sundimit të vendit nga ushtarakët.