Vetëm tre ditë pasi zjarri i shkrumboi punishten ku kishte punuar për më shumë se 30 vite, Barjam Sulejmani përballet me një tjetër tragjedi. Këtë herë, flakët kanë përfshirë banesën me qira ku jetonte së bashku me bashkëshorten.
Zjarri ka djegur plotësisht banesën, duke lënë çiftin pa strehë. Ata tashmë ndodhen në qiell të hapur dhe presin ndihmën e fqinjëve për të gjetur një vend ku të qëndrojnë.
Sipas banorëve të zonës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët nuk kanë mundur të neutralizohen në kohë dhe banesa është shkatërruar.
Fatmirësisht, çifti ka mundur të shpëtojë pa dëmtime fizike. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha, pasi familja ka humbur brenda vetëm pak ditësh si punishten e punës, ashtu edhe banesën ku jetonte.
Tashmë, sfida e radhës për familjen Sulejmani është gjetja e një strehe, ndërsa banorët e zonës janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë çiftit.
