Zjarri që ka përfshirë prej tre ditësh zonën e Mallakastrës vijon të mbetet aktiv, ndërsa flakët po përhapen në territorin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenie.

Sipas informacioneve nga terreni, era e fortë po favorizon avancimin e vatrës së zjarrit drejt zonës së Vloshit, duke përfshirë sipërfaqe të tjera me bimësi dhe pyje.

Për shkak të situatës së vështirë, është riaktivizuar edhe ndërhyrja nga ajri. Helikopterët kanë rifilluar operacionet për hedhjen e ujit mbi vatrat aktive, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës civile që po punojnë pa ndërprerje në terren.

Autoritetet vijojnë përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve dhe për të izoluar vatrat aktive, ndërsa situata mbetet dinamike për shkak të erës dhe kushteve të motit. Ekipet e angazhuara po monitorojnë vazhdimisht zonat e rrezikuara për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të zjarrit.