Tre shtetasit italianë nuk do të jenë prezentë në mbledhjen e Komisionit Hetimor të Sterilizmit dhe Check Up-it, ku pritej të merreshin në pyetje.

Lami ne ka bërë të ditur vetë kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi,  e cila madje tha se ata kishin refuzuar pjesëmarrjen. Sipas saj kjo ndodh për herë të tretë dhe shtoi se do njoftohet policia, për të bërë të mundur praninë e tyre në Komision.

“Tre shtetasit italianë refuzuan të ishin prezentë në mbledhjen e komisionit dy herët e tjera, kjo është hera e tretë. Për shkak të angazhimeve të tyre në Itali dhe jashtë Shqipërisë dhe kohës së shkurtër të njoftimit e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë, sipas tyre.

Secili prej tyre është jo vetëm aksioner i kompanisë së koncesionit të sterilizimit. Dy prej tyre kanë marrë miliona lekë me konsulencë private të marrë nga koncesionet, kanë kompani nënkontraktuese, i marrin taksat e shqiptarëve nga të gjitha xhepat, e konsiderojmë të domosdoshme prezencën e tyre në komision. Do vijojmë procedurën ligjore që parashikon thirrjen e qytetarëve duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision.”– tha Vokshi.

Lista e personave që do të pyeten sot janë:

  • Ora 9.30 Ilir Rrapaj
  • Ora 14.00 Anila Denaj
  • Ora 16.00 Altin Fani
  • Ora 18.00 Umbro Staccini
  • Ora 19.00 Elisabetta Anzanello
  • Ora 20.00 Giorgio Tardioli.