“Fiks Fare”
Në qendra ditore të rehabilitimit të përdoruesve të drogës, metadoni merret lehtësisht e më pas shitet në rrugë
Tre mijë lekë kushtojnë gjashtë kokrra metadon. Përdoruesit e lëndëve narkotike që kryejnë terapinë e shkëputjes nga droga në qendrat e rehabilitimit i shesin dozat e metadonit duke u justifikuar se një pjesë të pagesës e duan për punonjësit e qendrave ku janë të regjistruar. Çmimi i dozave të metadonit varion sipas qyteteve ku shtrihet qendra “Aksion Plus”, e cila merret me terapinë e përdoruesve që duan të shkëputen nga droga. Këto qendra të ofrojnë metadonin si pjesë të terapisë. Qendrat e shtrira në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Elbasan janë pjesë e një organizate jofitimprurëse. Mbrëmjen e djeshme, emisioni “Fiks Fare” publikoi abuzimin me metadonin, substancën që largon përdoruesit nga drogat ilegale. Gazetarët e “Fiksit” shkuan në katër qendra të tilla të shtrira pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Vlorë
Në qytetin e Vlorës, shpërndarja e metadonit nis në orën 15:00. Qendra ndodhet në katin e tretë të poliklinikës qendrore të qytetit. Pranë kësaj qendre shërben vetëm një infermier gjatë gjithë javës, kurse mjeku paraqitet vetëm një herë në javë, ditën e premte. Edhe pse dihet rreziku i metadonit, qendra u jep me vete këtyre pacientëve dozën e gjithë javës. Infermieri pranë kësaj qendre shprehet se ka pacientë që vijnë nga qytete të tjera, të cilët e marrin dozën për një javë. Kjo mënyrë e bën më të lehtë kalimin në mbidozë, por i jep dritë jeshile tregut të zi të kësaj lloj “droge”. Në bisedën që zhvilluan gazetarët e “Fiksit” me dy përdorues të metadonit, u tha se këtë substancë e merrnin për disa ditë me vete dhe se mund ta shisnin. Njëri prej tyre u siguroi gazetarëve tetë doza metadon, këto kundrejt pagesës prej 30 mijë lekësh. Përdoruesi tregon se këtë dozë metadoni ia bleu infermierit dhe se i ka dhënë 20 mijë lekë (të vjetra).
Tiranë
Në kryeqytet, ku janë edhe zyrat qendrore të “Aksion Plus”, psikologu dhe drejtori i qendrës u shprehën të bindur se metadoni konsumohet vetëm në qendër dhe se i dinin mjaft mirë rreziqet e dhënies me vete të metadonit një përdoruesi. Ata citojnë se përdoruesit në raste ekstreme mund t’ua rrëmbejnë prindërve me forcë dhe të kalojnë në mbidozë. Vetëm pak minuta pas përfundimit të bisedës ndërmjet gazetarëve të “Fiks Fare” dhe drejtorit të kësaj qendre, një përdorues në ambientet e jashtme të qendrës u tha gazetarëve se ua shiste ai një kokërr metadon për dy mijë lekë (të vjetra). Pas sigurimit të një kokrre, ai shprehet se është gati të sigurojë edhe një sasi tjetër metadoni, pasi si përdorues mund të merrte metadon për tre-katër ditë njëherësh pranë qendrës. Ndërkohë, një tjetër përdorues pohon se mund të shkojë në qendër dhe të marrë për një javë metadon, e më pas mund ta shesë atë për dy mijë lekë të vjetra.
Korçë dhe Elbasan
Në qytetin e Korçës dhe Elbasanit hasen të njëjtat probleme. Psikologia pranë Qendrës “Aksion Plus” në Elbasan pranon se punon e vetme dhe se e di mirë rrezikun që ka mbidoza, por edhe kur pinë heroinë apo lloj tjetër droge ajo ua jep metadonin, pasi nuk mund t’i shkëpusë nga terapia. Në këtë qendër nuk ka as mjekë dhe as infermier. Sipas psikologes, nga të regjistruarit në këtë qendër, gjashtë persona kanë vdekur nga mbidoza e metadonit. I fundit ka vdekur një vit më parë. Edhe këtu, si në qytetet e tjera, përdoruesit mund ta marrin metadonin me vete edhe për një javë. Edhe në këtë rast gazetarët tentojnë të blejnë nga përdoruesit metadonin. Njëri prej tyre ua shet me 5 mijë lekë të vjetra kokrrën direkt sapo e mori nga psikologia e qendrës. Në Korçë, përdoruesi i shiti për 20 mijë lekë të vjetra pesë kokrra metadon. Ai pohoi edhe një herë se e merr metadonin për pesë ditë në shtëpi. Edhe pse infermieri në qendër teorikisht pohon se pacienti duhet të vijë çdo ditë dhe metadonin ta marrë në prani të mjekut. Për të dhënë një shpjegim për të gjithë këtë situatë, “Fiks Fare” iu drejtua për një përgjigje drejtorit të Qendrës “Aksion Plus”, Genci Muçollari. Ky i fundit nuk pranoi të jepte një intervistë, pasi, sipas tij, puna e tyre është heroike dhe duhet vlerësuar për shkak të mungesave që kanë dhe problematikës me të cilën përballen çdo ditë. Për mungesat në personel, ai tha se nuk kanë fonde, ndaj edhe gjendja është e tillë.