Një ngjarje tronditëse është regjistruar në qytetin e Korçës, ku tre vajza të mitura, të moshës 3, 7 dhe 10 vjeç, janë paraqitur në spital me shenja të intoksikimit pas konsumimit të disa karameleve pranë një koshi plehrash. Pas analizave mjekësore, rezultoi se karamelet përmbanin substanca narkotike, konkretisht kanabis.

Shefi i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës, Dr. Robert Rado, bëri të ditur se fëmija 3-vjeçare ndodhej në gjendje kritike për jetën në momentin e mbërritjes dhe është dashur të intubohet menjëherë. Ajo tashmë ka dalë nga intubimi, por ndodhet ende në gjendje të rëndë. Ndërkohë, dy vajzat e tjera, 7 dhe 10 vjeç, janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen nën vëzhgim mjekësor.

“Atëherë, aktualisht gjendja e tre vajzave është kjo. Këto ishin tre vajza të moshave të ndryshme: njëra ishte 11 vjeç, më e madhja; tjetra ishte 8 vjeç; dhe më e vogla 3 vjeç. Më e madhja nuk kishte shfaqur ndonjë simptomë problematike. Kishte vetëm efekte të lehta të substancës që kishte përdorur. Asaj iu dha një ndihmë e veçantë, u mbajt në observim.

Vajza që ishte 8 vjeç kishte simptoma të lidhura me substancën që kishte marrë. U bë ndërhyrja e përshatshme në përputhje me gjendjen dhe sot është më mirë, me parametra normalë, e zgjuar, reagon dhe është në përmirësim.

Problemi ishte me vajzën më të vogël, 3 vjeç, e cila erdhi në gjendje të rëndë, me simptoma nga sistemi nervor, si rezultat i efektit që japin këto substanca mbi të. Bëhet fjalë për një lloj substance që bën pjesë në kanabinoidë, derivatet e kanabisit, të cilat tregtohen apo gjenden nuk e di saktësisht nëpër dyqane ku shiten në formë karamelesh ose aribosh. Kemi edhe kutinë e substancës që kishte marrë. Këto, nëse përdoren pa kriter dhe në moshat pediatrike, japin pasoja të tilla siç i pamë dje.

Ne kemi pasur raste intoksikacionesh nga medikamentet apo lëndë të tjera që përdoren për qëllime të ndryshme, por rast në këtë moshë, veçanërisht 3 vjeç, me këtë lloj substance, nuk kemi pasur. Ky ishte i pari që erdhi në gjendje të rëndë dhe u detyruam ta intubonim fëmijën në shërbimin e reanimacionit të të rriturve. Pasi pamë gjendjen, u konsultuam dhe, duke u nisur nga rrethanat dhe koha, vendosëm ta intubonim për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për t’i shpëtuar jetën.

Aktualisht, që po flasim, kemi ardhur nga reparti i reanimacionit të të rriturve, ku fëmija është ekstubuar, pra është hequr nga aparati i ventilimit. Ruam parametrat jetësorë, është me oksigjen në një gjendje të kënaqshme brenda normave. Por përsëri është shpejt për të dhënë mendime përfundimtare mbi ecurinë, sepse këto substanca kanë efekte afatgjata. Efektet mund të zgjasin nga 6 orë deri në 3 ditë, ndërsa eliminimi i tyre nga organizmi, përmes sistemit renal, pra urinimit, mund të shkojë deri në 15 ditë.

Për këtë e theksuam, për arsye sepse ne nuk e dimë se ku i gjeti fëmija, ia dhanë fëmijës apo çfarë ndodhi saktësisht. Këto janë probleme që i takojnë organeve kompetente, të cilat i kemi njoftuar që në momentin kur u paraqit rasti. A i kanë gjetur, a i kanë blerë, a ia kanë dhënë, këtë nuk e dimë.

Nga të dhënat që morëm nëpërmjet prindërve dhe personave të afërt, thuhet se i kanë konsumuar nga dy copë. Nga dy, pra në formën e karameleve ose aribove që kanë qenë. Gjithsesi, duke parë dozën e përmbajtjes që kanë këto produkte, për fëmijën e vogël ishte një dozë shumë e madhe. Dhe sikurse e theksova, doza nuk është e saktë, pra edhe pse thuhet dy, mund të ketë konsumuar edhe më shumë se aq.

Nuk kemi mundur të masim nivelin e këtyre substancave në gjak, dhe kjo e bën akoma më problematike situatën. Për këtë duhen laboratorë të posaçëm që matin nivelin e substancës.

Analizat janë marrë, analizat janë diskutuar, por qëllimi kryesor ynë ishte trajtimi i menjëhershëm i fëmijës, pasi ishte në gjendje të rënduar. Problemi është se këto lloj substancash nuk kanë një antidot, pra një kundërveprim që të bllokojë efektin e tyre. Ne trajtojmë simptomatikisht, duke ruajtur parametrat jetikë për fëmijën: funksionin e zemrës, sistemin respirator, qarkullimin e gjakut dhe sistemin nervor.

Fëmija ka ardhur me kriza, me të vjella dhe me kriza konvulsive, gjë që tregon se substanca kishte dhënë efekt mbi sistemin nervor qendror”, tha shefi i Pediatrisë Korçë.