Detaje të reja janë bërë të njohura nga atentati ndaj anëtarëve të familjes Guri në Dukagjin të Shkodrës, mbrëmjen e sotme, ku mbeti i vrarë Zef Guri dhe u plagos rëndë djali i tij, Gjin Guri.
Mësohet se 46-vjeçari Gjin Guri është nisur drejt Spitalit të Traumës, për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka marrë 4 plumba, 3 në këmbë dhe 1 në kokë dhe gjendja e tij paraqitet tejet e rëndë.
Ndërkohë, polica raporton se në drejtim të Dukagjinit janë nisur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSH-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në DPPSH, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Mësohet se Gjin Gurit në nëntorin e vitit 2021 i është vendosur një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.