Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit ka nisur, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në sallë do të jenë të pranishëm tre prokurorë: kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Gjithashtu, raportohet se në Kryesinë e Kuvendit, ku mbahet mbledhja, është paraqitur edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet imuniteti i saj.

Bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Aktualisht Balluku po merr pjesë në mbledhjen e qeverisë e thirrur nga kryeministri Edi Rama.

Megjithatë ajo mund të përfaqësohet nga avokatja e saj, Pemela Qirko, e cila është motra e saj.

Belinda Balluku është e pandehur për dyshimet mbi shkeljet në tenderin 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe, me një vlerë prej 450 milionë euro. Po ashtu, ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të tre tenderave të tjerë. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha detajet e dyshimeve.