Një grup bisedash në WhatsApp, i quajtur “Krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar”, ka bërë publik një dokument ku prezantohet nisma për ngritjen e një strukture të re, të quajtur “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, e cila, sipas autorëve, buron nga protestat kombëtare të zhvilluara gjatë qershorit 2026.

Në dokument thuhet se kjo strukturë synon të përfaqësojë dhe mbrojë vullnetin e qytetarëve, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që do të garantojë respektimin dhe zbatimin e kërkesave të shprehura gjatë protestave.

Platforma parashikon ngritjen e tre organeve: “Kuvendit Kombëtar Qytetar”, “Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit Kombëtar Qytetar” dhe “Mbledhjes së Përgjithshme të Popullit Shqiptar”. Sipas dokumentit, këto struktura do të kenë si qëllim mbikëqyrjen e institucioneve shtetërore dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Në përshkrimin e Kuvendit theksohet se ai do të përbëhet nga persona të konsideruar aktivë në jetën publike, me kontribut qytetar dhe që kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj sistemit politik ndër vite.

Sipas platformës, parashikohen dy formate organizimi: një Kuvend me 150 anëtarë dhe një tjetër i zgjeruar me 300 anëtarë, ku do të përfshihen edhe përfaqësues nga diaspora dhe trojet shqiptare. Dokumenti përcakton gjithashtu një sërë kriteresh për anëtarësimin, përfshirë qëndrime patriotike, mbështetjen për konceptin e “Shqipërisë Etnike” dhe respektimin e vendimeve të Kuvendit, edhe në rast se një anëtar ka votuar kundër tyre.

Platforma përmban edhe qëndrime politike të drejtpërdrejta. Mes tyre është kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe ndjekjen penale të tij dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre më të afërt. Gjithashtu, dokumenti parashikon që kjo strukturë të propozojë emrat e një qeverie teknike tranzitore në rast të largimit të qeverisë aktuale.