Përditësime të reja janë bërë publike për tragjedinë e ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në fshatin Domën të Postribës, në Shkodër, ku një banesë u përfshi nga flakët dhe për pasojë humbën jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur.

Sipas informacioneve, familja Çela jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur me pushime në Shqipëri. Ata kishin shkuar gjatë ditës në shtëpinë e tyre të vjetër në fshatin Domën, me synimin për të kryer disa riparime dhe punime në banesë.

Mësohet se në momentin kur shpërtheu zjarri, nëna ndodhej brenda banesës së bashku me dy fëmijët, ndërsa po gatuante. Kryefamiljari ndodhej pak më larg, në fshat, dhe nuk arriti të ndërhynte për t’i shpëtuar.

Flakët u përhapën me shpejtësi, duke shkrumbuar tërësisht banesën. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në banesë janë gjetur edhe një bombol gazi dhe një shishe me benzinë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkakun e zjarrit.