policia-e-tiranes-1Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Shëtitësit”, në kuadër të të cilit janë vënë në pranga tre shtetas me banim në Vlorë që kryenin vjedhje në Tiranë.


Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasve Donald Veipi, 24 vjeç, banues në Vlorë; I. S., 17 vjeç, banues në Vlorë dhe G. P., 16 vjeç, banues në Vlorë.


Sipas policisë, këta shtetas u konstatuan në flagrancë duke prerë me një sharre hekuri, çelësin e derës së jashtme të një dyqani në rrugën “Tish Daia”.


Gjithashtu, është arritur të zbulohen dhe dokumentohen disa ngjarje të tjera në juridiksionin e Komisariatit të Policisë Nr 2, ku këta shtetas janë të dyshuar si autorë të mundshëm të tyre.


Më datë 26.06.2016, në rrugën “Irfan Tomini”, kanë vjedhur dyqanin e shtetasit E. B., ku kanë marrë disa disa artikuj dhe një shumë monetare.


Më datë 11.07.2016, në rrugën “Frosina Plaku”, kanë vjedhur dyqanin e shtetasit E. K., ku kanë marrë një lap top dhe disa artikuj.


Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan; një sharrë hekuri e përshtatur për të prerë çelësa, një palë pinca për prerje shufrash hekuri, një kaçavidë, një palë pinca, një çekiç si dhe një automjet tip ‘Renault Megane’.


Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Vjedhje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”.


14 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)