Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar se më shumë se një treg të përbashkët Kosovë-Shqipëri, mbështet një treg të madh rajonal.

Rama u shpreh në EuroNews Albania se tregu potencial në Ballkanin Perëndimor është më i gjerë se kaq, dhe kjo tha ai është bindje personale.

“Ka shumë hapësirë për t’u integruar, por unë insistoj që tregu i madh potencial këtu është i gjithë rajoni, nuk është vetëm tregu Kosovë-Shqipëri, por është i gjithë rajoni. Kjo është bindja ime”, shtoi Rama.

Rama tha Shqipëria dhe Kosova kanë intensifikuar bashkëpunimet e tyre në disa sektorë, por pavarësisht kësaj, ai mendon se duhet bërë më shumë.

Sipas kryeministrit, të dyja vendet kanë hapësira të shumta, për të bashkëpunuar për zhvillimin e ekonomisë së tyre.

“Të njëjtat gjëra janë. Heqja e barrierave jo-tarifore, lehtësimi i lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit, shërbimeve. Është bërë goxha, por mund të bëhet shumë më tepër kjo nuk diskutohet. Unë nuk dua të bëj komente për të krijuar keqkuptime. Mendoj që ka qenë shumë në fokus një periudhë, pastaj ka dalë nga fokusi për një periudhë tjetër, jo nga ana jonë, por edhe për arsyet e tyre”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë ka qenë një ndër figurat politike shqiptare, i cili e ka mbështetur publikisht krijimin e “Mini-Shengenit Ballkanik”. Ai ka pohuar se ky proces do krijonte lehtësira të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor.