Personazh 


“Mami ka vdekur se e rrihte babi. Babi vdiq nga rrufeja”


Shpresa Mezini


E gjen në një cep, në mes të kryqëzimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për çdo ditë nga ora 08.00-23.00 të mesnatës.


Në më të shumtën e rasteve e veshur keq, e palarë, me flokët e shpupuritur, me njolla në fytyrë, me duart akull të ftohta, ajo zvarritet për të larë xhamat e makinave që kalojnë në këtë rrugë, për të fituar disa qindarka. Një pallto e kuqe, e dallon atë prej të afërmve të saj, që qëndrojnë me të në të njëjtën rrugë. Përngjan më shumë si një maskim për të mos e dalluar shoferët, të cilët kur vihen përballë larjes së xhamit të makinës me hir a me pahir, i largojnë me forcë, edhe pse shpesh nuk ia dalin.


Manuela, është 8 vjeç, por jeta e saj nuk ngjason aspak me atë të bashkëmoshatareve të saj. Ajo ka pamjen e një vajze të brishtë, të pafajshme, por nga ana tjetër e zonja e vetes. Ajo lufton me të ftohtin, shiun, diellin, padurimin apo arrogancën e njerëzve, vetëm e vetëm për të nxjerrë bukën e gojës. E ndërsa vogëlushet e tjera, të së njëjtës moshë dëgjojnë përralla apo tregime të thëna nga goja e prindërve të tyre, ajo i tregon vetë ato. Ndërsa përpiqesh të bisedosh me të, duket se nuk është naive, por e stërvitur mirë, edhe pse herë pas here mosha e zhgënjen, sepse pa dashur fjalët që thotë të bëjnë të dyshosh mbi të vërtetën e jetës së tmerrshme, që ajo bën.


“Unë dal vetë në rrugë. Laj makinat se njerëzit më falin lekë. Mami më ka vdekur se babi e rrihte, ndërsa babi vdiq nga rrufeja. Mami im është shumë e mirë. Ajo s’më le vetëm asnjëherë”, tregon 8-vjeçarja rome, e cila lan xhamat e automjeteve te kryqëzimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.


Rrëfimi i saj sa ngjan i mësuar përmendësh, aq edhe të krijon përshtypjen se historia është e trilluar nga një preson i rritur, ndoshta nga vetë nëna e saj, e cila shfaqet në gjithë këtë histori një herë sikur nuk jeton, e herë sikur del në rrugë bashkë me vajzën e saj, në pamundësi për të punuar gjetkë, për të mbajtur frymën gjallë.


Në të njëjtin cep, në stolin e fundit të pozicionuar në semaforin e kryqëzimit të bulevardit të madh, ndodhen 2 zonja dhe 3 fëmijë të tjerë, përveç Manuelës.


“Ato 2 gocat e tjera janë kushërirat e mia. Ato janë të mira. Po ato janë më të mëdha se unë dhe s’më lënë të punoj, edhe lekët m’i marrin”, tregon ajo e trembur. Megjithatë, Manuela është e zgjuar. Ajo druhet të tregojë më tepër, kur ka përballë njerëz që për të janë të panjohur. Madje, sa herë që rrëfen për fakte si marrja e parave me forcë apo për atë që e ka nxjerrë në mes të 4 rrugëve duke rrezikuar jetën, ajo tërhiqet, ndonëse i shpëton goja, arrin të vetëkorrigjohet nga frika se dikush mund të marrë masa ndaj mamasë së saj.


Vogëlushja rome, tregon se nuk ka shkuar kurrë më parë në shkollë. Kjo vërehet më së miri nga mënyra sesi ajo shprehet. Di kaq pak fjalë. Madje, mezi i gjen ato të shkretat. Ajo ka 2 vëllezër dhe 1 motër, më të mëdhenj se vetja, ndërsa e ëma, sipas versioneve të saj, herë shfaqet e vdekur e herë e gjallë. E vërteta është se ajo është gjallë. Madje, fare pak metra larg saj, ndonëse as nuk jep e as nuk merr. Loja e saj nuk bie në sy kollaj, por po ta ndjekësh me vëmendje, dallon shqetësimin në fytyrën e saj, sa herë që dikush i afrohet të bijës. Ajo trembet, sepse pas kësaj jete mizerje, që përjeton çdo ditë 8-vjeçarja e cila, goditet apo shahet, fshihet vetëm ajo. Tmerr kur shikon një vogëlushe, e cila duhet të ishte në klasën e tretë, duke shijuar moshën më të bukur të fëmijërisë. Periudhë kur jeta të ngjan më shumë me një përrallë sesa me realitetin, që të mëson të qeshësh, të qash, të vuash, të mërzitesh apo të mendosh për hallet që ka familja për shkak të mungesës së parave apo zënkave mes prindërve. Ajo ka fatin e keq, që për shkak të një sërë faktorësh, ku kryeson vështirësia ekonomike apo mungesa e arsimimit, të dënohet rëndë, duke u përballur që tani me jetën, me luftën për t’i mbijetuar të përditshmes.


E megjithatë, Manuela është vetëm një prej rasteve, sepse të tilla gjen pothuajse pa fund në kryeqytet. Kudo, në rrugët dytësore, kryesore, apo në bulevarde, ku lëvizshmëria e automjeteve është edhe më e madhe. Disa si lypës, të ulur në tokë, të tjerë me shishe të mbushur me ujë dhe me një furçë të improvizuar, që i shërben për të larë xhamat e makinave, punë që më shumë nuk paguhet sesa paguhet. Njerëzit të lodhur nga monotonia e përditshme, nga puna apo hallet që kanë në shtëpitë e tyre shpesh nevrikosen dhe u përgjigjen keq vogëlushëve. Nga njëra anë njerëz që nxitojnë për në punë, të tjerë që i kanë larë makinat dhe s’duan t’i lajnë sërish, ndërsa vogëlushët janë pala tjetër. Ato të cilët, rrinë në rrugë duke larë makina dhe numërojnë lekët për t’i çuar në shtëpi. Situatë e padrejtë për të gjithë, panoramë rrëqethëse, e megjithatë ndjesia njerëzore e gjithsecilit prej nesh nuk ka fuqi të ndryshojë asgjë. Ato enden dhe do të vazhdojnë të enden rrugëve, në një kohë kur premtimet elektorale janë për një shtet social, ndonëse ato që preken më shumë nga zbrazëtia e fjalëve të politikanëve janë shtresat në nevojë…