TREGU17_1Vazhdojnë protestat e tregtarëve të ish-Uzinës Dinamo për të kundërshtuar mbylljen e tregut. Paraditen e sotme ata janë ndalur përpara Ministrisë së Bujqësisë, ku kanë kërkuar ndërhyrjen e ministrit Edmond Panariti për të mos lënë pa punë rreth 5 mijë persona.


Pak ditë më parë, tregtarët zhvilluan një protestë para Prefekturës, kundër vendimit të Task-Forcës së ngritur nga Prefektura dhe Bashkia e Tiranës, që vendosi të mbyllë tregun tek ish-Uzina Dinamo dhe te “Qyteti i Nxënësve”, për shkak se nuk plotësonin kushtet e tregtimit dhe ato higjeno-sanitare.


Me parulla në duar, tregtarët kërkuan pezullimin e vendimit të prefektit Sadi Vorpsi, ku sipas tyre, pas këtij vendimi fshihen interesa për truallin, sepse po kërkohet të ndërtohen pallate në zonën e tregut, dhe nuk ka të bëjë me çështjen e higjienës.


Sipas tregtarëve, në treg punojnë 386 subjekte dhe sipas tyre janë punësuar 5 mijë persona.


22 korrik 2014 (gazeta-Shqip.com)