Për sigurimin e kriptovalutave të sekuestruara, Shqipëria ka shtrirë dorën tek partnerët evropianë. Por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht. Ajo që kërkohet është ngritja e bazës ligjore dhe sistemeve për ruajtjen e këtyre parave të pista.

“Kemi hasur shumë vështirësi… patjetër problemin e zgjidhëm, por e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet e huaja, të një vendi anëtar të BE-së, i cili na u vetëofrua. Kuptohet zgjidhja ishte e bazuar në ligj, e bazuar në marrëveshje ndërkombëtare ku ne kemi aderuar si shtet, por ishte një sforcë shumë e madhe,” u shpreh Altin Dumani, ish-kreu i SPAK.

Transferimi i aseteve në wallet-et e SPAK ishte proces delikat, pasi exchange-i mban çelësin privat dhe mund t’i lëvizë fondet sipas udhëzimeve ligjore. Për të shmangur manipulimet, u krijua një wallet institucional me siguri të lartë: cold storage offline, multi-signature dhe ndarje të çelësave privatë, duke parandaluar grabitjet e brendshme.

Kjo strukturë parandalon grabitjet e brendshme dhe siguron që fondet të mos zhduken pas sekuestros.

“Procedura penale është pothuajse e paazhornuar me këto zhvillime të teknologjisë dhe me këtë zhvillim të parasë virtuale. Në procedurë penale është pothuajse e papërcaktuar se si ti mund të kqyrësh një kriptomonedhë,”– u shpreh ish-prokurori Eugen Beci.

Por kjo nuk është një zgjidhje përfundimtare. Është një sforcim i jashtëzakonshëm, ku dalin në pah edhe mangësitë e mëdha ligjore të sistemit. Krimi nuk pret dhe deri sa ligji të përshtatet me realitetin dixhital, ai fiton përpara drejtësisë. Një treg në hije, që lulëzon mes rrjeteve sociale dhe “exchange”-eve të palicencuara.

“Shqipëria ka miratuar një ligj në vitin 2020 për teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, gjë e cila ka qenë një hap i madh për kohën, por ai ligj ka mbetur i tillë pa asnjë akt nënligjor dhe pa asnjë zhvillim të mëvonshëm, gjë e cila sigurisht ishte një hap i madh përpara, por nga krahu tjetër nuk rezultoi aq frytdhënës,”– u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.

“Ky ligj që nga viti 2020 deri më sot, pavarësisht përpjekjeve për të nxjerrë akte nënligjore, urdhëra dhe udhëzime, duket se nuk është bërë familjar me atë që ecën në teknologji… ligji është krijuar, por ka krijuar ca parime bazë, dhe aktet nënligjore dhe udhëzimet që mund të dilnin në zbatim të këtij ligji nuk kanë dalë,”– u shpreh ish-prokurori Eugen Beci.

Nisur nga mangësitë e konstatuara pas hulumtimeve mbi dosje hetimore dhe boshllëqe ligjore, Inside Story iu drejtua Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare me një kërkesë për informacion. Ky institucion sqaron se, nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 66/2020, pranë AMF nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për licencim apo autorizim.

Pra, në Shqipëri nuk ekziston asnjë platformë e licencuar për tregtim kriptomonedhash. Megjithatë, dhjetëra faqe në Instagram, TikTok e Telegram ofrojnë çdo ditë “blerje e shitje crypto, pagesa cash në Tiranë”. Një treg që funksionon në hije, ndërsa shteti thjesht nuk ka askënd për ta kontrolluar.

“Kjo është një problematikë që vjen për shkak të boshllëqeve ligjore që ka kodi i procedurës penale, që parashikon neni 274 dhe neni 276 që flasin për sekuestrimin e pasurive, por ky nen flet vetëm për sekuestrimin e pasurive bankare, pasurive të paluajtshme dhe sendeve të tjera që vijnë nga aktiviteti kriminal, pra nuk ka të parashikuar posacërisht raste të tilla të aseteve dixhitale,”– u shpreh Dritan Jahaj, avokat.

“Në rrjetet sociale si Instagram e Facebook lihen gjurmë të shumta. Kjo duke filluar që nga pika e kontaktit të parë me një person tjetër ku ti je i identifikuar në atë moment, që nga pajisja që ti përdor, që futesh dhe logohesh në rrjetet sociale, nga mesazhet që ti bën me njëri-tjetrin, ku është e pamundur që ato mesazhe të fshihen, screenshot-et që mund të bëhen që ti je duke biseduar për një shkëmbim të mundshëm të monedhave virtuale, me para kesh,”– u shpreh Dorian Kane, ekspert i kriptomonedhave.

AMF thotë se janë miratuar plot 12 rregullore dhe vendime qeveritare, që nga “Licencimi i bursave DLT” te “Kujdestarët e portofolit dixhital”.

Por ligji ka mbetur si një kornizë pa përmbajtje: një shtëpi pa banorë, ku askush nuk ka hyrë asnjëherë për të kërkuar licencë. Në mënyrë paradoksale, ndërsa rregullat ekzistojnë, askush nuk i ka zbatuar. Preferenca është tregu nëndheshëm, ku qarkullojnë paratë e pista dhe shmanget alerti institucional.

AMF thotë se nuk është vënë në dijeni për mashtrime financiare, por njëkohësisht pranon se tregu informal ekziston. Madje, është bërë aq i madh, sa që në nëntor të vitit 2024, pas referimit të bërë prej vetë AMF-së, u zhvillua një operacion policor i koduar “USDT 1”, ku 32 subjekte u hetuan dhe 18 u proceduan penalisht për veprimtari të paligjshme me kriptovaluta.