Grupet kriminale shqiptare po përdorin rrjetet sociale për të reklamuar kalime të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar me çmime jashtëzakonisht të ulëta, duke ngritur dyshime serioze për mashtrime. Sipas një artikulli të publikuar nga The Telegraph, në platformën TikTok janë shfaqur oferta ku një vend në gomone për kalimin e Kanalit Anglez ofrohet për vetëm 150 paund.

Llogari të dyshuara si të lidhura me trafikantë njerëzish synojnë drejtpërdrejt shqiptarët që kërkojnë të emigrojnë, duke ulur ndjeshëm çmimet tradicionale, të cilat zakonisht variojnë nga 1,500 deri në 2,000 paund për person. Në disa raste, zbritja arrin deri në 90 për qind.

Një nga reklamat, e parë nga mijëra përdorues, paraqiste një itinerar nga Sangatte, në veri të Francës, drejt Doverit, në Britani. Mesazhi i publikuar ishte i drejtpërdrejtë: “Kemi udhëtime çdo ditë me varka të vogla për në Mbretërinë e Bashkuar. Çmimi shumë i lirë.” Postime të tjera përsërisnin të njëjtën ofertë, të shoqëruara me hashtag-e që synonin komunitetin shqiptar.

Megjithatë, autoritetet britanike shprehin skepticizëm. Zyrtarë të National Crime Agency dhe Border Force theksojnë se çmime të tilla nuk mbulojnë as kostot minimale të pajisjeve, duke ngritur dyshime se ofertat mund të jenë mashtrime për të përfituar para nga emigrantët e dëshpëruar.

Një tjetër mundësi është se trafikantët po përpiqen të rikthejnë interesin për këtë rrugë, pas një rënieje të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që kalojnë Kanalin. Pas kulmit prej rreth 12,700 personash në vitin 2022, masat e forta të zbatimit të ligjit dhe marrëveshjet e kthimit me Shqipërinë kanë ulur ndjeshëm këto shifra.

Sipas të dhënave, kalimet këtë vit kanë rënë me rreth 36 për qind, edhe për shkak të vështirësive të trafikantëve për të siguruar motorë të fuqishëm për varkat. Si pasojë, ata po përdorin pajisje më të dobëta dhe më të lira, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetën e emigrantëve. Vetëm këtë vit, të paktën tetë persona kanë humbur jetën në incidente të ndryshme në det.

Një gazetar shqiptar, i cili u paraqit si emigrant i mundshëm, arriti të kontaktojë me një prej këtyre llogarive. Ai u ofertua menjëherë me një çmim prej 150 paundësh për person, madje me mundësi uljeje deri në 130 paund. Kur gazetari shprehu dyshime për këtë çmim të pazakontë, përgjigjja ishte e prerë: “150 paund për person.”