Një shkëndijë elektrike dyshohet se ishte shkaku fillestar i nisjes së zjarrit në tregun industrial tek ish-uzina Dinamo. Por, përhapja masive e tij në pak minuta dhe shkrumbimi i 3 kapanoneve ndodhi për shkak të mosplotësimit të kritereve të godinës për mbrojtjen nga zjarri.
Në inspektimin e kryer në 2025 ky objekt ishte gjobitur dhe i ishin lënë detyra, mosplotësimi i të cilave solli pasoja.
“Nuk i plotësonte kriteret të ishte një treg. Dyqanet ndaheshin me llamarina. Instalimet elektrike nuk ishin hermetike”, u shpreh zjarrfikësi Arben Cara.
Operacioni i fikjes së këtij zjarri të madh ishte një sfidë e vështirë për shkak të strukturës së objektit, por edhe të rrezikshmërisë që paraqisnin dyqanet që tregtonin gaz dhe parfume.
“Çatia ishte e njëjta dhe zjarri përhapej shpejt. Kishte rrezik për shpërthim sepse kishte dyqan me bombola dhe parfume që rrezikonin jetën e zjarrfikësve dhe njerëzve përreth”, shton Cara.
Për të shmangur situata të përmasave të tilla, sipas zjarrfikësit, bizneset duhet të kenë parasysh disa këshilla: “Të fikin energjinë elektrike kur mbyllin biznesin. Të bëjnë instalime elektrike cilësore. Kujdes nga cigarja”.
Për shkrumbimin e mbi 50 bizneseve me një dëm të konsiderueshëm monetar, policia dhe prokuroria e Tiranës ka çelur një hetim, ku nga të dhënat e deri tanishme ngjarja po trajtohet si aksidentale.
