PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i ka kërkuar informacion KQZ në lidhje me materialet zgjedhore të sekuestruara në Peqin.
Një shtetas që dyshohet se është përfshirë në blerje votash në 11 maj u vu në pranga disa ditë më parë. Dervish Beqirit iu gjetën dhe sekuestruan 10 fletë votimi, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.
Policia sekuestroi edhe portofolin e tij, brenda të cilit ishin 280 000 lekë si dhe një pushkë e vjetër trofe e një pistoletë sportive, që i mbante në shtëpi. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Rasti u denoncua një ditë para arrestimit nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha se në Elbasan është përdorur ‘skema e trenit bullgar’.
Reagimi i PD- ASHM:
Në lidhje me ngjarjen e bujshme të datës 22 Maj 2025 në qytetin e Peqinit, ku falë reagimit të menjëhershëm të kandidatit për deputet të PD-ASHM në Qarkun Elbasan u bë i mundur identifikimi dhe dokumentimi i pranisë së materialeve zgjedhore në një ambient privat, përfshirë:
* Fletë votimi që për sy të lirë janë të padallueshme nga fletët e votimit origjinale të përdorura në procesin zgjedhor të datës 11 maj 2025;
* Lista zgjedhësish me vulë të njomë, badge akreditimi të KQZ-së, dokumentë identifikimi, si dhe shuma të konsiderueshme parash, si dhe duke marrë shkas nga publikimi sot me datë 23 maj 2025 në disa media të lajmit me titull:
“Policia përgënjeshtron Sali Berishën: Fletët e votimit të gjetura në Peqin, të falsifikuara”, kërkojmë zyrtarisht nga institucionet tuaja të na vihet në dispozicion sa vijon:
Informacion zyrtar nëse është kryer ndonjë ekspertizë shkencore, kriminalistike apo laboratorike mbi materialet e sekuestruara më 22 maj 2025 në Peqin, konkretisht mbi fletët e votimit të dyshuara, listat zgjedhore, badge-et e akreditimit dhe çdo material tjetër të lidhur me procesin zgjedhor te gjendura aty”, theksohet në kërkesën e PD.


