Për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të Kongresit Europian të Anesteziologjisë dhe Terapisë Intensive, u realizuan dhe u transmetuan drejtpërdrejt tri ndërhyrje kirurgjikale për trajtimin e stenozave të arterieve karotide.
Ndërhyrjet u kryen njëkohësisht nga tri ekipe të Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare në QSUT, në bllokun e ri operator, ndërsa në sallën e kongresit, në prani të profesorëve të njohur europianë dhe mjekëve pjesëmarrës, u ndoqën drejtpërdrejt të gjitha fazat e operacioneve.
Një prej ekipeve drejtohej nga shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare, Prof. Dr. Sokol Xhepa. Pas përfundimit me sukses të të tria ndërhyrjeve, ai tha për Top Channel se e kishte pranuar me kënaqësi ftesën e kolegëve anestezistë për të realizuar këto operacione live.
Sipas tij, ndërhyrjet konsideroheshin komplekse jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të ngushtimit të arterieve karotide, por edhe për shkak të sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese që kishin pacientët.
“Tani nuk i refuzojmë për ndërhyrje asnjë pacient që mund të ketë sëmundje bashkëshoqëruese”, u shpreh Prof. Dr. Sokol Xhepa.
Të tria ndërhyrjet përfunduan me sukses, falë bashkëpunimit mes ekipeve të kirurgjisë vaskulare dhe atyre të anestezi-reanimacionit.
“Vetëm pesë minuta më parë, pacienti është shkëputur nga aparatura. Dy nga ndërhyrjet u kryen me anestezi të përgjithshme, ndërsa në rastin tjetër pacienti ishte i vetëdijshëm dhe komunikonte me ekipin mjekësor. Teknikat e përdorura, së bashku me medikamentet më të fundit që kemi në dispozicion, na mundësojnë që të mos refuzojmë asnjë pacient për këto ndërhyrje”, deklaroi Dr. Ervin Bejko, mjek anestezist-reanimator.
Kongresi Europian i Anesteziologjisë dhe Terapisë Intensive – Albania 2026 zhvillohet për tri ditë në Tiranë, duke bërë bashkë profesorë dhe ekspertë të huaj e shqiptarë, si dhe mjekë të rinj.
Aktiviteti synon shkëmbimin e eksperiencave profesionale, prezantimin e zhvillimeve më të fundit shkencore dhe teknologjike në mjekësi, si dhe ndarjen e praktikave bashkëkohore në fushën e anesteziologjisë dhe terapisë intensive.
