Dyshohet për 100 gramë eksploziv. Historia e sajimit të shpërthimit dhe vrasja e vjetshme
Një sasi prej 100 gramësh tritol shpërtheu jashtë dyerve të lokalit të Xhevdet Dacit, babait të Elsonit, teksa të dy ndodhen prapa hekurave. Elson Daci akuzohet për vrasjen e një 28-vjeçari dhe plagosjen e të vëllait, ndërsa mbi Xhevdetin rëndon akuza e përkrahjes së autorit, duke fshehur armën e krimit. Në vitin 2014, Xhevdet Daci u akuzua nga policia se kishte sajuar një shpërthim granate, që i biri të përfitonte azil. Nga burimet policore mësohet se persona të paidentifikuar, rreth mesnatës së të enjtes, kanë vendosur një sasi tritoli në ambientet e jashtme te lokalit të Xhevdet Dacit, në lagjen 7, në Bathore. Nga shpërthimi nuk janë shënuar të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të saj. Nga të dhënat e deritanishme mësohet se janë dëmtuar xhamat e lokalit dhe një pjesë e shkallëve, ndërsa ekspertiza paraprake ka konstatuar se mendohet të jetë përdorur një sasi prej 100 gramësh lëndë plasëse, e dyshuar tritol. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe tronditi banorët e lagjes. Ekspertë të Komisariatit nr. 5 që ka nën juridiksion këtë zonë, por edhe specialistë të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kryen veprimet e para hetimore, duke nisur me mbledhjen e provave apo dëshmive, ndonëse këto të fundit janë të pakta. Në vendin ku ndodhi shpërthimi nuk ndodhej pothuajse askush nga familja Daci, pasi bashkëshortja e Xhevdetit jeton jashtë shtetit, djali i tij Elsoni është në burg për vrasje dhe vetë pronari është prapa hekurave, se përkrahu të birin. Dy vëllezërit Robert dhe Valter Kolaveri u qëlluan me pistoletë më 4 nëntor të këtij viti nga Elson Daci, teksa ndodheshin në një lokal. Pak orë pas ngjarjes, 28-vjeçari Valter Kolaveri vdiq në spital, ndërsa i vëllai, 31-vjeçari Robert Kolaveri mbeti i plagosur. Pak më vonë, kur shpalli në kërkim Elsonin, policia arrestoi babanë e tij, për përkrahje të autorit. Asokohe policia nisi hetimet për larje hesapesh, pas prishjes së pazareve të trafikut njerëzor në Francë. Edhe vetë i arrestuari e pranoi këtë pistë, duke u thënë oficerëve të policisë se kishte pasur një sherr në Francë me dy vëllezërit Kolaveri. Sipas Dacit, vëllezërit nga Babrruja e kishin rrahur për shkak se ai po u merrte klientët, për t’i transportuar nga Franca në Britaninë e Madhe. Pas vrasjes së nëntorit në Babrru, policia prangosi të atin e Dacit dhe një person tjetër, që e kishin ndihmuar të arratisej. Elson Daci, 27-vjeçari nga Kukësi, me banim në Bathore, i cili e kishte ndërruar emrin në Gazmir, u prangos mes 22 dhe 23 dhjetorit 2015, në dhomën e një hoteli. Sakaq, më 9 dhjetor të vitit 2014, Xhelal Daci, lajmëroi Komisariatin Nr. 5, për shpërthimin e një granate. Pas verifikimit të informacioneve rreth kësaj familjeje, nga ana e policisë rezultoi se Elson Daci, djali i Xhelalit, ishte në kërkim për trafik droge dhe u mendua që mund të ndodhej në Slloveni. U ndoq pista e sajimit të shpërthimit të granatës, për të dhënë idenë se familja e tij ishte e rrezikuar dhe Elsonit do t’i krijoheshin lehtësi për azil. M. Mullai

