Dibër
Një invalid në Dibër ka rënë pre e një sulmi me eksploziv, që ka sjellë dëme të shumta materiale. Eksplozivi ishte vendosur në makinën e tij, ndërkohë që policia mendon se mund të jetë ngatërruar objektivi. Rreth orës 8.00 të mbrëmjes së të hënës, në fshatin Kishavec të Komunës Kastriot, në Rrethin e Peshkopisë janë dëgjuar dy shpërthime të forta. Si rezultat i shpërthimeve rezulton që është hedhur në erë me lëndë eksplozive automjeti tip “Benz”, me targa AA 331 BG, në pronësi të Nuri Pirës, 53 vjeç, i cili është invalid. Sipas policisë, në dy sedilje të makinës janë vendosur dy kallëpe tritoli, që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës. Si rezultat i dy shpërthimeve është dëmtuar edhe një furgon si dhe ndërtesa e një shtetasi tjetër, ku ka qenë parkuar automjeti. Policia tha se ka dyshime të forta se mund të jetë ngatërruar objektivi i sulmit, pasi nuk ka të dhëna nëse ndokush kishte konflikt apo inate me invalidin, pronar i mjetit të shkatërruar. Burime nga Policia e Dibrës bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se deri në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme janë shoqëruar për në ambientet e Komisariatit të Policisë së Qarkut të Dibrës mbi 10 persona, të cilët janë pyetur për këtë ngjarje. Mësohet se ngjarja po hetohet edhe për konkurrencën e furgonëve për transportin e pasagjerëve. H. Likdisha