Pronari i biznesit “Lufa Print” në Shkodër, Lulzim Mehmeti, ka dhënë dëshminë e tij për policinë vendore pas ngjarjes së shpërthimit me eksploziv që ndodhi ditën e martë pranë subjektit të tij. Mehmeti, i cili gjatë kohës së shpërthimit ndodhej në shtëpi për shkak të një viroze, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë probleme me ndonjë person dhe se nuk ka marrë kërcënime. Ai ka shtuar se nuk ka ndonjë ide për arsyen e vendosjes së eksplozivit pranë lokalit të tij, pasi aktiviteti i tij është i orientuar në fushën e reklamave dhe marketingut dhe nuk ka pasur asnjë konflikt të njohur.

“Nuk e kam idenë se kush e ka vendosur sasinë e eksplozivit. Nuk kam patur asnjëherë probleme me askend, as kërcënime dhe asgjë tjetër të këtij lloji. Ne operojmë prej shumë vitesh në fushën e reklamave dhe marketingut në Shkodër dhe nuk e di përse është vendosur tritoli pranë subjektit tim”, ka thënë Mehmeti, duke theksuar se gjatë gjithë ditës ishte në banesë për shkak të virozës.

Eksplozivi, i vendosur pranë subjektit “Lufa Print” në zonën e Ish Fermentimit, ka tronditur gjithë zonën për shkak të zhurmës së madhe që ka shkaktuar, megjithëse sasia e eksplozivit nuk ka qenë shumë e madhe. Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Rreth orës 22:20, shërbimet e policisë morën njoftim për shpërthimin dhe menjëherë u dërguan në vendngjarje. Pas inspektimit të zonës, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe ka zbuluar pamje të dy personave që, duke u dukur shumë të rinj, afrohen me motor dhe hedhin tritolin pranë dyerve të “Lufa Print”. Ata janë parë të mbajnë bluza me kapuç dhe të mbulojnë fytyrat për të shmangur identifikimin.

Pas shpërthimit, autorët ende të paidentifikuar largohen në drejtim të njësisë Rrethina në një zonë rurale ku nuk ka kamera sigurie për të mos lënë gjurmë. Ajo që dyshohet nga policia është se dy të rinjtë mund të jenë përdorur me pagesë në këtë ngjarje për vendosjen e tritolit. Uniformat blu të Shkodrës janë duke hetuar çdo pistë të mundshme lidhur me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 9 dhjetorit në Shkodër për identifikimin e autorëve, gjetjen dhe kapjen e tyre.