Disa orë pasi një sasi lënde eksplozive i shkatërroi banesën, Ylli Zalla, person i shpallur në kërkim nga drejtësia, ka sfiduar hapur organet e rendit duke u regjistruar në një video pikërisht përpara shtëpisë së tij të dëmtuar.

Në pamjet e publikuara nga Report Tv, i kërkuari i ka hedhur poshtë pretendimet e organit të akuzës, duke këmbëngulur se nuk ka gisht në ngjarjet e nëntorit të kaluar dhe se është implikuar pa asnjë provë shkencore.

Nën hijen e hetimeve zyrtare që e lidhin atë me atentatin e bujshëm të Rinasit dhe një depo armësh të zbuluar në shkurt të këtij viti, Zalla ka hedhur akuza të rënda drejt strukturave të policisë dhe grupeve kriminale, duke pretenduar se po tentojnë ta eliminojnë fizikisht.

“Unë Ylli Zalla në nëntor 2025 vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22 më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vra vdek e në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, është shprehur ai në video.