Dinamika e shpërthimit të një lënde plasëse në Selitën e Vogël, në makinën e 39-vjeçarit Dritan Jano, është bërë e ditur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve, ndërkohë që hetimet janë në zhvillim e sipër. Dritan Jano, nipi i ish-zëvendësprokurorit të përgjithshëm, Thoma Jano, ka qenë objekt i hetimeve dhe disa pista janë duke u verifikuar nga Policia. 39-vjeçari ka dëshmuar pranë autoriteteve se nuk kishte konflike dhe nuk kishte një emër për të cilin mund të dyshonte.

Një nga pistat kryesore që po hetohen lidhet me xhaxhain e tij, Thoma Janon, i cili ka qenë përgjegjës për sektorin e përgjimeve dhe ka mbajtur një pozicion të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. Thoma Jano u largua nga detyra për shkak të moshës së pensionit, por pozita e tij e lartë dhe roli që ka luajtur deri kohët e fundit mund të jetë një nga motivet e mundshme që ka çuar në shpërthimin e tritolit në makinën e nipit të tij.

Po ashtu, hetuesit janë duke verifikuar edhe një tjetër pistë që lidhet me bashkëshorten e Dritan Janos, Dorina Jano. Ajo është një nga administratorët e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila është nën juridiksionin e Ministrisë së Brendshme. Dritan Jano, nga ana tjetër, është i punësuar prej vitesh në Drejtorinë e Metrologjisë.

Hetuesit janë duke shqyrtuar gjithashtu mundësinë e një lidhjeje mes këtyre dy individëve dhe ngjarjes së rëndë, dhe se çdo hipotezë është ende në hetim. Policia ka fokusuar hetimet për të zbuluar nëse shpërthimi ka pasur ndonjë lidhje me aktivitete të mëparshme të personave të përfshirë në sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore.

Sipas hetimeve, autorët kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me dy automjete.

Njëri prej tyre ka arritur tek porta e shtëpisë dhe ka hedhur lëndën plasëse në oborrin e banesës. Pas shpërthimit, ata janë larguar shpejt duke përdorur rrugicat e zonës.