Forcat RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në Sarandë ditën e sotme, pas vrasjes së Isuf Jacajt me tritol mbrëmjen e kaluar.

Mësohet se ekipet policore kanë ngritur pika kontrolli në disa zona në qytet, pasi dyshohet se aty ndodhen ende autorët e krimit.

Isuf Jacaj njihej ndryshe edhe me nofkën “Bushi” dhe kishte një të kaluar të ngarkuar penale. 58-vjeçari ishte emër i njohur për policinë që para viteve 2000. Në qershor të vitit 2010, Jacaj mbeti i plagosur pas një konflikti me sende të forta në lagjen nr. 4, ndërsa në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë.

Gjithashtu në korrik të vitit 2022, u përfshi në një tjetër përplasje, ku u arrestua me një përforcues grushti, ndërkohë që një tjetër person u kap me armë zjarri. Ndërsa në vitet e fundit “Bushi” merrej me sektorin e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare përreth Sarandës.

Teksa policia po heton shkaqet e plota të atentatit, një nga pistat kryesore që po hetohet tani është ajo e hakmarrjes. Kjo vjen, pasi më 17 korrikut 2025 djali i viktimës, Klaus Jacaj, 31 vjeç, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një ngjarje të rëndë kriminale.