Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen “Gafur Muço” në Lushnjë, ku objektiv ka qenë banesa e Shaqe Gjatës, nënës së Klea Gjatës. Policia ka ngritur dyshime se shkaku i vendosjes së tritolit mund të lidhet me konfliktet e vazhdueshme mes Klea Gjatës dhe Laert Haxhiut, të dënuarit me burg përjetë, me të cilin ajo ishte ndarë pas zbulimit të një tradhtie. Një modele nga Kosova, Ziza Pajaziti, ishte parë disa herë me Haxhiun në burgun e Drenovës, duke intensifikuar përplasjet mes tij dhe Kleas.

Përplasjet mes dy të rinjve kishin arritur kulmin pas refuzimit të Kleas për të takuar më tej Laert Haxhiun, gjë që ka çuar në një tension të shtuar mes tyre. Sipas burimeve të policisë, kjo mund të ketë qenë arsyeja e vendosjes së tritolit në banesën e nënës së Kleas, fatmirësisht pa shkaktuar viktima apo dëme materiale të rënda. Policia e Lushnjës ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe po shqyrton të gjitha mundësitë për identifikimin e autorëve.

Klea Gjata ka qenë përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndësishme kriminale disa vite më parë, kur emri i saj doli në media si e dashura e besnikë e Laert Haxhiut. Pas një hetimi lidhur me aktivitetet e bandës së Haxhiut, Klea u arrestua për “Moskallëzimin e krimit” dhe qëndroi në burg për gjashtë muaj. Ajo u akuzua gjithashtu për përdorimin e një automjeti të markës “Benz”, i cili ishte përdorur nga Haxhiu gjatë periudhës kur ai ishte në kërkim.