Prokuroria e Korçës ka shpallur pretencën për 7 të pandehurit e dosjes penale nr. 252, që lidhet me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 1 gusht 2020, kur u qëllua me armë drejt hotelit “Voloreka” në Pogradec, duke rrezikuar jetën e dhjetëra pushuesve dhe të Johan Muçllarit, djalit të pronarit të hotelit.
Ngjarja, e cila tronditi qytetin në kulmin e sezonit turistik, po i afrohet përfundimit gjyqësor. Pas konkluzioneve të mbrojtjes, pritet që gjykata të japë vendimin për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarve.
Sipas gazetarit Elton Qyno, ndër të pandehurit është Meardi Berberi, i njohur me nofkën “Koro”, i cili akuzohet për pesë vepra të rënda penale, përfshirë “Vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”. Në listë përfshihet edhe Anterio Kaloshi, i dënuar më parë me burgim të përjetshëm dhe i njohur si krahu i djathtë i Laert Haxhiut, si dhe persona të tjerë me precedentë penalë në qarkun e Korçës, si Ilir Meçolli dhe Mariglen Topuzi.
Gjatë seancës, Prokuroria kërkoi këto dënime:
- Meardi Berberi (“Koro”) – 25 vite burg për pesë vepra penale, përfshirë “vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “mbajtje të armëve të ftohta” dhe “shkatërrim prone me mjete të tjera”.
- Elvir Haxhia – 24 vite burg për tre vepra penale.
- Ilir Meçolli – 22 vite burg për dy vepra penale.
- Anterio Kaloshi – 15 vite burg për katër vepra penale.
- Ervin Kalaja – 9 vite burg për katër vepra penale.
- Ardian Xhuti – 3 vite burg për një vepër penale.
- Mariglen Topuzi – 3 vite burg për një vepër penale.
Nga hetimet ka rezultuar se më 1 gusht 2020, rreth orës 02:00, dy persona të ardhur me motor qëlluan në drejtim të Johan Muçllarit dhe miqve të tij që ndodheshin në një tavolinë jashtë hotelit “Voloreka”. Po ashtu, më 8 gusht 2020, rreth orës 04:40, në afërsi të hotelit, në zonën e “Drilonit”, ndodhën sërish të shtëna me armë zjarri, ku u dëmtuan disa mjete dhe u qëllua drejt ndërtesës së hotelit, konkretisht në katin e katërt ku qëndronte Muçllari.
Ngjarja mbetet një nga më të rëndat që ka tronditur Pogradecin vitet e fundit, ndërsa vendimi i gjykatës pritet në ditët në vijim.
