Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Lezhë, ku ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit, në Zadrimë, Sokol Toma, është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacioneve paraprake, 53-vjeçari është sulmuar rreth orës 22:00 në aksin Mamurras–Laç, në zonën e Sanxhakut. Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të maskuar, e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup.
Pas sulmit, Toma është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet i shtruar në repartin e ortopedisë.
Burime nga spitali bëjnë me dije se agresorët i kanë thyer të dyja këmbët dhe i kanë prerë një pjesë të veshit, çka tregon brutalitetin e madh të sulmit ndaj tij.
Mësohet gjithashtu se autorët, pasi e kanë dhunuar, i kanë marrë edhe telefonin celular dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk dihen ende motivet e sulmit dhe as identiteti i autorëve.
