Një ngjarje e rëndë është zbuluar të dielën e kaluar në Bruksel, ku trupi i një 29-vjeçari me origjinë shqiptare është gjetur i varur në një tabelë sinjalizuese pranë qendrës tregtare Westland Shopping, në afërsi të zonës së njohur Peterbos.
Prokuroria e Brukselit ka konfirmuar identitetin e viktimës dhe e ka cilësuar ngjarjen si të dyshimtë. Ndërkohë, autoritetet belge kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat, duke angazhuar Policinë Federale Gjyqësore, një mjek ligjor dhe një hetues. Edhe pse pista e vetëvrasjes nuk përjashtohet, autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për një akt dhune ekstreme.
Zona ku u gjet trupi është një pikë e njohur për aktivitetin e trafikut të drogës, dhe ndonëse ende nuk ka lidhje të konfirmuara mes viktimës dhe bandave lokale, autoritetet po hetojnë mundësinë e një krimi të organizuar. Një burim i cituar nga gazeta La Capitale ka sugjeruar se mënyra e ekzekutimit i ngjan metodave të përdorura nga bandat meksikane, të njohura për brutalitetin e tyre në eliminimin e rivalëve.
Në një deklaratë për gazetën Het Laatste Nieuws, Eric Jacobs, drejtori i Drejtorisë së Policisë Federale në Bruksel, theksoi se mafia nga Marseja dhe grupet kriminale të njohura si Mocro-Maffia, me origjinë nga Afrika Veriore, përdorin shpesh metoda të ngjashme kërcënime, vrasje dhe dhunë të skajshme.
“Pyetja është nëse ky 29-vjeçar ishte pjesë e kësaj bote kriminale, dhe nëse ky akt ishte një paralajmërim për kundërshtarët,” tha Jacobs.
Një raport i Drejtorisë së Policisë Federale të Drejtësisë, publikuar në gusht, paralajmëron për përhapjen e dhunës dhe torturave në rrjetet kriminale, të zbuluara nëpërmjet deshifrimit të komunikimeve sekrete. Edhe pse aktualisht nuk ka raste të hapura hetimi për tortura, raporti nënvizon se teknikat e përdorura janë karakteristike për mafian.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë.